Posts Tagged ‘lajme’

Motrat Mustafa me te kerkuarat

Se Motrat Mustafa janë të njohura në Kosovë e diasporë, s’ka dyshim. Por që ia dalin të “rrëzojnë” edhe Rihannën dhe Shakirën, pakkush mund ta ketë pritur.

Sipas raportit vjetor të “Google”, i bie që “Motrat Mustafa” janë më kërkuarat në internet gjatë këtij viti nga kosovarët.

Ato janë përfshirë në listën e emrave më të kërkuar në “Google.rs” në vitin 2011, derisa në kategorinë e argëtimit janë renditur Adem Ramadani dhe “Fustane Nusërie”.

Raporti vjetor “Google Zeitgeist” realizohet tash disa vjet. Pas miliardave termeve të kërkuara gjatë një viti, “Google Zeitgeist” çdo dhjetor zbulon emrat, të cilët janë kërkuar më së shumti.

Këto janë pasqyruar në listën me statistikat për Serbinë, ku janë të përfshira shumica e klikimeve edhe nga kosovarët dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Meqë Kosova nuk ka “domain” të vetin, klikimet që bëhen në vend nëpërmjet makinës kërkuese llogariten në atë të Serbisë. Një pjesë e vogël llogariten edhe në atë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, varësisht se nga cili vend, kompanitë shpërndarëse të rrjetit në Kosovë e kanë bërë lidhjen.

Në kategorinë “personalitet më të kërkuar” përmes “Google” në Serbi në vitin 2011, Motrat Mustafa kanë zënë vendin e shtatë, duke u radhitur pas këngëtares e aktores së njohur, Selena Gomez. Bile Motrat Mustafa kanë lënë pas në renditjen e dhjetshes më të kërkuar në Serbi, Seka Aleksiqin, Rihannan dhe Shakirën.

Lista e emrave më të kërkuar kryesohet nga krimineli Ratko Mladiq. E dyta më e kërkuara është Amy Winehouse, derisa pas saj radhiten Novak Gjokoviq, Natasha Bekvalac dhe Nikola Tesla.

“Motrat Mustafa” po ashtu janë radhitur të pestat me kërkimet në kategorinë e argëtimit, e cila përfshin dhjetë emra e nocione. Në këtë kategori në vend të tetë është radhitur Adem Ramadani që këndon ilahi. E në vendin e dhjetë zë vend “Fustana Nusërie”.

Kompozitori Florent Boshnjaku ka thënë se këto statistika nuk mund të merren si matës i shijes së publikut kosovar.

“Ky është një hulumtim për emrat më të kërkuar dhe ndoshta nuk ka të bëjë me dëgjimin. Nuk ma merr mendja se mund të jetë një barometër i saktë”, ka thënë Boshnjaku.

Sipas Boshnjakut, megjithëse shija muzikore nuk mund të përcaktohet nga raporte të tilla, kjo rendtije dëshmon për një gjë.

“Është evidente që muzika popullore konsumohet më shumë. Nuk po them që dëgjohet më shumë, por është fakt që shitet më shumë”, ka thënë ai.

E “Motrat Mustafa” i gëzon kjo statistikë.

Njëra prej tyre, Sahidja, është shprehur e lumtur që bashkë me motrën e saj Safeten janë përfshirë në listën e emrave më të kërkuar në “Google”, gjatë vitit 2011.

“Në jetën time asnjëherë s’jam ndier më mirë. Po ndihem shumë e lumtur”, ka thënë ajo. Asaj nuk ia ka marrë mendja se bën vaki edhe kjo, ani pse thotë që e di se këngët e tyre janë bajagi të klikuara.

“E di që kemi pasur shumë klikime, sepse shpeshherë hyj në internet dhe i shikoj. E kam vërejtur që ka interesim të madh, por më vjen mirë që jemi përfshirë në këtë listë”, ka thënë ajo.

Derisa ka komentuar lajmin, ajo ka thënë se “Motrat Mustafa” nuk i kushtojnë kujdes të madh postimeve të këngëve e videoklipeve të reja në interenet, por për këtë kujdesen më shumë adhuruesit e tyre.

“Nuk jemi marrë shumë me këtë punë, por njerëzit janë interesuar dhe kujdesur që këngët tona të postohen në internet”, ka thënë ajo, derisa ka zbuluar se balada “Shpirtit tim”, e realizuar në vitin 2011, për një muaj ka pasur një milion klikime. Ajo e di sekretin.

“Mendoj se janë temat e prekshme ato që i kanë nxitur më shumë njerëzit që të klikojnë këngët tona. Një prej arsyeve kryesore duhet të jetë balada ‘Shpirtit tim’, por edhe ‘Kënga e Manastirit’, thotë ajo. Por edhe një tjetër këngë, sipas saj, i kontribuon kësaj.

“Potpuria ‘Jena motra kallabllak’ ka qenë mjaft e kërkuar”, thotë Sahidja, pa e fshehur gëzimin.

4 comments - What do you think?  Posted by admin - December 27, 2011 at 2:29 pm

Categories: Motrat Mustafa Lajme   Tags: , , ,